VIKTOR PALOKA – NJERIU I RAPSODISË DHE ÇIFTELISË

0
57

Në Vaun e Dejës vetëm kisha kaluar ndërsa pak ditë më parë pata rastin të jem mysafir e vizitor.
Ju përgjigja me shumë kënaqësi Ftesës që më bëri miku im i folkut, rapsodi e këngëtari i shquar i asaj ane, Viktor Paloka.
Viktorin e pata takuar së pari në një festival në Klinë të Kosovës , ishte së bashku më Toninin, vëllai tjetër i Viktorit që , të dy së bashku kanë krijuar dyshen e njohur të këngës e çiftelisë të njohur me “ Vëllezërit Paloka “.
Në një farë mënyre u ktheva borxhin se të dy i pata mysafirë në edicionin e Parë të Aulona Folk Festival ku kënduan e u pritën me shumë dashuri nga artëdashësit vlonjatë.
Viktori, me çiftelinë e tij ishte edhe në edicionin e Katërt , në vitin e 100 – vjetorit të Pavarësisë dhe Virgjil Kule me kamerën e tij e ka fiksuar në Dokumentar aty tek Monumenti i Madh i Pavarësisë…
Me rastin e 60 vjetorit të lindjes Viktorit ju mblodhën shumë miq e shokë , njerëz të këngës e kulturës ,autoritete të pushtetit vendor, dashamirës e bashkë qytetarë të shumtë dhe aty, në sallën e shfaqieve të Pallatit të Kulturës, ndoqën aktivitetet e organizuara me këtë rast.
Bashkë me Ditëlindjen Viktori në atë ditë përjetoi edhe ndjesinë e veçantë që jep një promovim libri dhe patëm rastin që ta shikojmë edhe si këngëtar e krijues i këngëve të mrekullueshme të melosit popullor por edhe si autor botimesh me karakter kulturor.
Gjergj Dodani , moderatori i aktivitetit të promovimit të librit “ Vau Dejësi i vogël me vlera të veçanta “ me autor Viktor Palokën , më nderoi duke më dhënë fjalën midis autoriteteve vendore por edhe mjaft të ardhurve nga Tirana, Shkodra, Lezha, Puka etj, të gjithë miq të autorit.
Mu desh aty për aty ti them ca fjalë , për Viktorin që kishte sebepin por edhe për të tjerë krijues e interpretues të këngës së mrekullueshme veriore.
Ndava me të pranishmit dy strofa të një poezie që e kisha krijuar e botuar kur isha student, afro 35 vite të shkuara.
Nëpër këngë shpesh kam ecur
Që nga jugu, në veri
Kënga labe, isua valë
Përzier me çifteli
Labërishtja rrjedh e shtruar
Çiftelia nëpër tela
Një me tirqe e xhubleta
Tjetra zbardh nga fustanella…
Nuk di pse mu duk se këto vargje , qysh athere, i kisha thurur për këtë ditë.
Thashë më tej se at’here vërtet se kisha njohur Viktor Palokën, as Toninin, të vëllain, as Gjon Frrokun, as Esat Rukën, as Mark Gjokën, as Jonuz Delajn, vëllezërit Lleshi e sa e sa të tjerë por kisha dëgjuar këngët e të mëdhenjve Frrok Haxhia, Hazis Ndreu, Ndue Shyti, Sali Mani, Fatime Sokoli e Gjin Shkoza me shokë.
Dhe ja tani, në festën e Ditëlinjes së Viktor Palokës kisha rastin të takoja e njihja nga afër shumë prej burrave të rapsodisë, të këngës e çiftelisë por edhe të sharkisë e këngës së Majë krahit…
Në emër të Qendrës Kulturore “ Aulona “ i dorëzova Viktor Palokës Çertifikatën “ Antar Nderi “ i Grupit folklorik “ Bilbili” – Vlorë , në shenjë respekti , bashkëpunimi dhe transmentimi të vlerave të trashëgimisë kulturore shpirtërore .
Faleminderit për kënaqësinë që më dhurove Viktor Paloka dhe 100 vite qofsh përherë me këngë në gojë e çifteli në dorë !

Përshkrimi i fotografisë nuk është i disponueshëm.
Përshkrimi i fotografisë nuk është i disponueshëm.
Përshkrimi i fotografisë nuk është i disponueshëm.

Huazuar nga facebook i z. Ndrek Doda