Viola von Cramon reagon pas sulmeve të burrit të Presidentes ndaj mediave: Në Kosovë po zhvillohet fushatë kundër gazetarëve

0
38

Eurodeputetja Viola von Cramon ka reaguar ndaj sulmeve të burrit të presidentes Osmani, Prindon Sadriu ndaj gazetarëve në Kosovë. Von Cramon ka shkruar se është duke e ndjekur nga afër fushatën denigruese të organizuar kundër gazetarëve, raporton Gazeta Express.

“Media e lirë është njëra nga shtyllat themelore të demokracisë dhe gazetarët duhet të kenë lirinë e tyre për t’u shprehur pa ndonjë frikë. Për këtë jam duke monitoruar nga afër kampanjën denigruese të organizuar kundër gazetarëve në Kosovë për të kuptuar plotësisht ngjarjet e fundit”, është shprehur ajo.

Lexo Edhe:
Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, tutje ka thënë se Kosova ka shërbyer si shembull për një ambient pluralist.

“Kosova ka shërbyer si shembull për një ambient pluralist, ne do të dëshironim të shihnim standardet e BE-së të shprehjes së opinionit të qëndrojnë të mbështetura dhe gazetarët të mbrohen nga presioni politik”, ka thënë Von Cramon.

Free media is one of essential pillars of #democracy and #journalists must have the freedom to express themselves without any fear.

I am therefore closely monitoring the denigrating campaign organised against journalists in #Kosovo to fully understand recent events.

— Viola von Cramon (@ViolavonCramon) February 9, 2022
Në lidhje me gjuhën e Prindon Sadriut ndaj gazetarëve ka reaguar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës i ka dënuar sulmet e Zotëriut të Parë, bashkëshortit të Presidentes Vjosa Osmani ndaj mediave e gazetarëve.

AGK thotë se është alarmuar me gjuhën e përdorur nga Prindon Sadriu.

“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës është i alarmuar me gjuhën denigruese që Zotëria i Parë i Kosovës, Prindon Sadriu, ka përdorur ndaj gazetarëve dhe mediave në Kosovë duke i quajtur ato “ndërmarrje të përbashkëta kriminale””, thuhet në reagim.

Akuzat dhe sulmet e tilla, AGK-ja thotë se e shtojnë pasigurinë e gazetarëve në vend.

“Akuzat dhe sulmet që vijnë nga bashkëshorti i Presidentes, që gjithashtu mban post shtetëror në MPJ, shton pasigurinë e gazetarëve në Kosovë. Po ashtu, në ditët e fundit edhe gjuha e zëdhënësve dhe eksponentëve të tjerë të partisë në pushtet në raport me mediat ka qenë e papranueshme dhe paraqet presion direkt në punën e tyre”, thotë AGK.

Prindon Osmani mbrëmë i quajti ndërmarrje kriminale mediat që raportuan për kompensimin e shpenzimeve të deputetëve për udhëtim, ku përfshiheshin edhe ato të Presidentes Vjosa Osmani, në kohën kur ajo ishte deputete.

“Kur përfaqësuesit e Ndërmarrjeve të Përbashkëta kriminale, ‘gazetarët’ e parapolitikës, e persona të përfshirë në reket e në keqpërdorime milionëshe, moralizojnë. Janë këta moralizues e shpifës të cilët paguanin një natë akomodim me Nju Jork $1.200 në Hotel Interconntinental Manhattan, e mëngjesin e paguanin $50 për person (drekat e darkat iu shkonin deri ne mijëra dollarë)”, ka shkruar Sadriu të martën në Facebook.

Burimi/gazetaexpress.com/