Vladimir Duraj – Duarartët – Maksut Drasa dhe Luan Dushari

0
169

Legjenda e kirurgjisë Shqiptare e Botërore, autor i 250.000 operacioneve të suksesshme, njëri nga 100 Gjenitë e Mjekësisë së Shekullit të 20-ë ( regjistruar si i tillë në Enciklopedinë Amerikane), Prof. Dr. Maksut Dërrasa, sot do të mbushte 101 vjeç.
Është momenti për të ripërsëritur thirrjen qytetare drejtuar autoriteteve përkatëse që mendimi për vënien e emrit Maksut Drrasa, Spitalit të Traumës në Tiranë, të kthehet në vendim e ky institucion, që mori famë e lavdi nën drejtimin e Dr Maksutit, të përjetësoi emrin e Tij.
Duke uruar që sa më sipër të marri jetë sa më shpejtë, po risjellë një shkrim timin të para disa muajve, kushtuar mjekut të shquar dhe njeriut të mirë, Maksut Drrasës…për kënaqësinë e atyre që e kanë lexuar dhe për ata që nuk e kanë lexuar.
Duarartët
Maksut Drasa dhe Luan Dushari
Duhet të kenë qënë vitet 70. Im gjysh ndjen një shqetësim në stomak dhe shkon për t’u vizituar në Rroskovec. Atje vizitonte një mjek me emër të mirë, mbase Vlashi.

  • Duhet të të shoh kirurgu, është problem për të – i tha doktori pasi e pa mirë e bukur.
  • Kirurgu, po ku, në Fier apo në Berat ? – i tha gjyshi ngaqë kish dëgjuar për mjekët elitar të Beratit.
  • Të mirë janë mjekët kudo, po ata të Beratit qëndrojnë pak më lartë…Maksuti, Zino, Hyseni janë kirurg me emër në vend – ia ktheu doktori tim gjyshi.
    Doli nga ambulanca dhe pa e zgjatur fare, gjyshi i hipën makinës dhe vjen tek ne në Qytetin Stalin.
  • Nuk jam mirë, nesër në saba do shkoj në Berat për t’u vizituar tek kirurgu…kam dhimbje të forta në stomak – na tha pasi ishte shplodhur dhe kishte pirë kafen e servirur nga ime ëmë.
  • Ç’thua baba, sa kohë ke me këtë dhëmbje ? – e pyeti ime ëmë, më tepër instiktivisht.
  • Kam pak, por sa vjen e bëhet edhe më shqetësuese….vajta në Rroskovec sot dhe doktori më tha ‘duhet të të shoh kirurgu’ ….ndaj erdha këtu, të mar Luanin nesër e të shkoj me të në Berat – tha gjyshi duke ”thyer” fjalë si kokrra arre.
    Luani ishte ”daja” im, ”djali” i gjyshit, njeri për t’u pirë në kupë. I kam futur në thonjza ”daja” dhe ”djali” ngaqë Luani nuk ishte tamam vëlla i sime ëme apo djali i tim gjyshi.
    I jati i Luanit dhe gjyshi im ishin kushurinj të parë. Në fund të viteve 30 zbresin të dy nga Dushari i Korçës në Vidhishtë të Rroskovecit, blejnë disa ha tokë nga Jako beu i Kumanit dhe nisin aty një jetë të re.
    Gjatë luftës babain e Luanit e vrasin. Vrasësi u kap dhe u vra nga partizanët, Sadiku (i jati i Luanit) ishte njeriu i tyre i infiltruar në xhandarmërinë e Rroskovecit.
    Në këto kushte e mer terezia që Luani të rritet në shtëpinë e gjyshit tim duke njohur për nënë e baba gjyshin dhe gjyshen time.
    Kjo është pak a shumë historia që kishte mundësuar quajtjen e Luanit si djalë shtëpie dhe vëlla për katër motrat, bijat e gjyshit.
    Vrasja e Sadikut u shit si vepër e partizanëve (edhe pse këta të fundit e vranë vrasësin) dhe një manipulim i tillë i të vërtetës ndikoi që gjyshi të hiqte dorë nga asnjanësia e të pozicionohej me Ballin Kombëtar, veprim ky që i kushtoj vuajtje me burg nga 45 në 52-shin.
    Ishin këto vite mungese të gjyshit në shtëpi që e çimentuan përfundimisht qënien si djalë shtëpie të Luanit.
    Shkova unë tek shtëpia e dajës (tash e mbrapa nuk do t’i vë më thonjzat) dhe lajmërova për ardhjen e babagjyshit dhe arsyen e kësaj ardhjeje.
    Mbasdite, kur la punën dhe shkoi në shtëpi, dajës i treguan për babagjyshin, ardhjen dhe arsyen e asaj ardhjeje. Pa humbur kohë, edhe bukën e kishte ngrënë me të mbytur, Luani i hipën makinës dhe vjen tek ne.
    Kishte makinë në përdorim ngaqë ishte mjeshtër i tyre….punonte në një repart ushtarak si mjeshtër i teknikës. I kishte duart të arta, ç’i shihte syri i bënin ato. Ndaj e vlerësonin maksimalisht, nuk kishte kuadro e punonjës të mos i hiqnin kapelen për atë ç’ka ishte e ç’ka bënte.
  • E o plak, po ç’pate kështu ? – i tha Luani tim gjyshi pasi bënë të zakonshmet në raste të tilla.
  • Taksirat o bir, mosha po bën të sajën, siç duket – iu përgjigj gjyshi dhe ia sqaroj fije e për pe nga fillimi i shqetësimeve e deri ç’i kishte thënë doktori Rroskovecit.
  • Mos e vri mendjen fare, do të shkojmë në Berat nesër në mëngjes dhe do të bëjë Maksuti si djalë të ri…kemi fat se ka edhe makinën të prishur…kishte ardhur sot në repart për mua po nuk më kishte gjetur…siç duket, i kanë thënë se vetëm unë mund t’i bëj derman makinës së tij – i tha Luani tim gjyshi me një ndjenjë të dukshme krenarie dhe sigurie në ato që thoshte.
    Pasi ndenji edhe pak tek ne, Luani e mori gjyshin në shtëpinë e tij për t’u nisur prej andej drejt Beratit të nesërmen. Dhe ashtu bënë, të nesërmen në mëngjes i zunë pusi tek dera e spitalit dr Maksut Dërrasës.
    Maksuti ishte kirurg me duar të arta, nuk kishte beratas, skrapalinj, poliçanas, qytetstalinas, lushnjar dhe fierak të mos e njihnin atë….ai ishte i dëgjuar e u bë i njohur në të gjithë vendin kur pak vite më vonë vajti në Spitalin Ushtarak Tiranë.
    Berati mbahej për mjek në atë kohë, Dëshnica, Lluka, Zino, Hysen Picari dhe të tjerë që s’po i përmend rrinin bukur fare në krahë të duarartit Maksut.
  • Mirmëngjes doktor, jam Luan D. Më kishit kërkuar dje në repart.
  • Ah po, eja pak brenda, Luan – i tha Maksuti duke vënë dorën e tij të madhe mbi shpatullat, gjithashtu të mëdha, të Luanit.
  • Kam ardhur bashkë me plakun, i ka thënë dr i Rroskovecit të vizitohet tek kirurgu…dhe kirurg më të mirë se ju nuk kam ku ti gjej unë – i tha Luani dinjitoz e i buzëqeshur.
  • A qerrata, qerrata, mere dhe plakun e futemi në zyrën time – ia ktheu me të qeshur, Maksuti.
    Hyjnë brenda dhe Maksuti filloi nga puna, fillimisht duke pyetur gjyshin për ecurinë e shqetësimeve dhe më pas duke kryer ekzaminimin që ai dinte ta bënte mrekullisht.
  • Sa vjeç është plaku ? – i tha Maksuti, Luanit.
  • Aty tek 65, por është i mbajtur mirë, nuk ka pas shqetësime më parë – i tha Luani.
  • Shqetësimet nuk i ka ndjerë, thuaj, pa me ç’shoh unë nuk i ka ecur jeta vaj…
  • Ashtu është o bir, edhe kemi vuajtur – u hodh im gjysh dhe në moment, atij dhe Luanit, iu shfaqën periudha 7 vjeçare në ferrin e burgjeve të kohës.
  • E megjthatë, plakun do ta bëjmë djal të ri – tha Maksuti duke hedhur një vështrim të ngrohtë e miqesor në drejtim të gjyshit e Luanit.
  • Edhe unë do ta bëj të re makinën tënde, të mos e dalloj njeri nga e sapo dala nga fabrika – i tha Luani, Maksutit, me aq siguri dhe besim saqë Maksutit iu duk si punë e mbaruar.
    Dhe të dy duarartët filluan nga puna, Luani me makinën e dr Maksutit dhe Maksuti me barkun e tim gjyshi. Përfundimi ishte i njëjtë, im gjysh u bë si djalë dhe rrojti edhe disa vjetë pas ndërhyrjes së Maksutit, ndërsa makina e Maksutit nuk dallonte nga të sapo dalat nga fabrika.
    Disa kohë pasi duarartët Maksut e Luan kishin kryer detyrën e tyre, gjyshi dhe Luani shkojnë për kontrollin e planifikuar në spital. Pasi e kontrolloj dhe konstatoj gjithçka siç duhej, doktor Maksuti del për t’i përcjellë miqtë e tij të rinj.
  • Ja, ky është duararti që bëri makinën time, i tha Maksuti njërit prej kolegëve të tij që e ndeshi tek dera e spitalit……siç duket ia kishte treguar historinë e mësipërme.
  • Ndërsa ky xhaxhaj është babai i tij që e ke bërë si djal të ri – iu përgjigj kolegu dhe shtoi me të qeshur :
  • Ky është rasti ku dy duarartë i lajnë borxhin njëri – tjetrit.

Burimi/Facebook