Vladimir Putin është në majë të një piramide pushteti që po rrënohet

0
25

SHKRUAR NGA VLADIMIR SOROKIN
Më 24 shkurt, parzmorja e “autokratit të ndritur” që bartte Vladimir Putinin që prej njëzet vjetësh, u kris dhe u bë copash. Bota pa një përbindësh – i çmendur nga dëshirat dhe i pamëshirshëm në vendimet e veta. Përbindëshi është rritur gradualisht, duke fituar forcë vit pas viti duke marinuar autoritetin e vet absolut, agresionin perandorak, urrejtjen për demokracinë perëndimore dhe të keqen e ushqyer nga trishtimi i krijuar nga rënia e BRSS-së. Tani, Evropa do të duhet të merret, jo me ish-Putinin, por me Putinin e ri, i cili ka hequr maskën e “partneritetit në biznes” dhe “bashkëpunimit paqësor.” Nuk do të ketë më kurrë paqe me të. Po si erdhëm deri këtu?

Në filmin final të Peter Jackson, The Lord of the Rings trilogy, kur Frodo Baggins shkoi të hidhte në lavën e nxehtë unazën që pati sjellë kaq shumë vuajtje dhe luftë për banorët e Botës së Mesme, ai papritur vendosi ta mbajë atë për vete. Dhe, nën ndikimin e unazës, ai papritur fillon të ndryshojë, duke u bërë i keq dhe djallëzor. Unaza e Pushtetit e vuri atë nën kontroll. Pavarësisht kësaj, në librin e Tolkien, pati një fund të lumtur…

Kur Putini u vendos në fronin e pushtetit të Rusisë nga Boris Jeltsini i moshuar më 1999, fytyra e tij ishte disi simpatike, madje edhe tërheqëse – ndërsa retorika e tij ishte tërësisht e shëndetshme. Për shumë dhe shumë njerëz dukej se njeriu që po merrte komandën në majë të Piramidës së Pushtetit të Rusisë ishte një zyrtar inteligjent pa fodullëk dhe pa arrogancë, një individ modern që kuptonte se për Rusinë post-sovjetike kishte vetëm një rrugë drejt të ardhmes: demokracinë. Ai foli për demokacinë goxha në intervistat e tij pas në atë kohë, duke i premtuar qytetarëve të Federatës Ruse vijim të reformave, zgjedhje të lira, liri shprehjeje dhe respektim të të drejtave të njeriut nga autoritetet, bashkëpunim me perëndimin dhe, më e rëndësishmja, rotacion të vazhdueshëm të pushtetit.

“Nuk kam në plan të kapem pas kësaj karrigeje!” tha ai.

Në Rusi, siç e dinë të gjithë, njerëzit vijonin të besonin në fjalët dhe shfaqjet e sundimtarëve të tyre. Dhe, pas në atë kohë, ky burrë ishte “individi i këndshëm në çdo drejtim,” siç shkroi Nikolai Gogol për protagonistin e tij te Frymë të vdekura: Hapur për biseda, në përpjekje për të kuptuar çdokënd, serioz por jo se i mungonte humori, e madje edhe aftësia për të bërë shaka me vetveten.

Për më shumë, politikanë të caktuar, intelektualë dhe teoricienë politikë që sot janë kundërshtarë të ashpër të Putinit dhe sistemit të tij, e mbështetën atë, disa madje edhe duke kalur përmes dyerve të selisë së tij të fushatës, për ta ndihmuar atë të fitonte zgjedhjet. Dhe ai i fitoi. Por unaza fatale e pushtetit rus sakaq ishte në gishtin e tij dhe po bënte punën e saj të mbrapshtë; një përbindësh perandorak filloi të zë vendin e këtij individi të gjallë dhe të këndshëm.

Në Rusi, pushteti është një piramidë. Kjo piramidë u ndërtua nga Ivani i Tmerrshëm në shekullin e gjashtëmbëdhjetë – një car ambicioz dhe brutal i mbytur nga paranoja dhe shumë vese të tjera. Me ndihmën e ushtrisë së tij personale – oprichnina – ai në mënyrë të pamëshirshme dhe të përgjakshme ndau shtetin rus në pushtet dhe në popull, në miq dhe armiq dhe hendeku mes tyre u bë i thellë. Miqësia e tij me Golden Horde e bindi atë se e vetmja mënyrë për të sunduar pafundësinë e Rusisë ishte që të bëhej pushtues i saj. Fuqia pushtuese duhet të jetë e fortë, e pamëshirshme, e paparashikueshme dhe e pakuptueshme për popullin. Njerëzit nuk duhet të kenë zgjidhje tjetër veçse ta adhurojnë pushtetin. Dhe një person i vetëm ulet në majë të kësaj piramide të errët, një person i vetëm që posedon pushtetin absolut dhe të drejtën për çdo gjë.

Paradoksalisht, parimi i pushtetit rus nuk ka ndryshuar as së largu përgjatë pesë shekujve të fundit. Unë e konsideroj këtë si tragjedinë kryesore të vendit. Piramida jonë mesjetare qëndroi e lartë përgjatë të gjithë kohës së saj, duke ndryshuar në sipërfaqe por duke mbetur gjithmonë e njëjta në themel. Dhe gjithmonë ka pasur një sundimtar të vetëm rus në majë: Pjetri i I-rë, Nikolai i II-të, Stalini, Brezhnjevi, Andropovi… Sot, Putini ka qëndruar në majë për më shumë se njëzet vjet. Pasi shkeli premtimin e tij, ai është kapur pas karriges me sa fuqi ka. Piramida e Pushtetit helmon sundimtarin me autoritet absolut. Ajo lëshon vibrime mesjetare dhe arkarike te shpura e sundimtarit, duke u dukur se thotë: “ju jeni padroni i një vendi, i cili mund të mbahet njësh dhe i tërë vetëm përmes dhunës dhe mizorisë; bëhuni po aq opak sa jam edhe unë, po aq mizorë dhe të paparashikueshëm, çdo gjë ju lejohet ju, ju duhet të përçoni më tutje tronditjen dhe tmerrin në popullsinë tuaj, njerëzit duhet të mos ju kuptojnë, por ata duhet t’ju kenë frikë.”

Nëse shikojmë se si rrodhën ngjarjet e fundit, ideja e rikthimit të Perandorisë Ruse duket se e ka pushtuar tërësisht Putinin.

Për fat të keq, Jeltsini, i cili erdhi në pushtet në majë të dallgës së Perestrojkës, nuk e shkatërroi formën mesjetare të piramidës; ai thjeshtë sa rirregulloi sipërfaqen e saj: në vend të betonit të zymtë sovjetik, ajo u bë shumëngjyrëshe dhe e mbuluar me pankarta reklamash që reklamonin mallra perëndimorë. Piramida e Pushtetit nxorri në pah dellin më të keq të Jeltsinit: ai u bë i paedukatë, bullizues dhe pijanec. Fytyra e tij u bë e rëndë, e palëvizshme, një maskë e shkujdesur arrogance. Nga fundi i sundimit të tij, Jeltsini nisi një luftë të pakuptimtë mbi Çeçeni kur ajo vendosi të ndahej nga Federata e Rusisë. Piramida e ndërtuar nga Ivani i Tmerrshëm ia doli të zgjojë imperialistin edhe te Jeltsini, një demokrat jetëshkurtër; si car rus, ai dërgoi tanke dhe avionë në Çeçeni, duke dënuar popullin çeçen me vdekje dhe vuajtje.

Jeltsini dhe krijuesit e tjerë të Perestrojkës që e rrethuan atë jo vetëm që nuk e shkatërruan Piramidën e Pushtetit, por ata as nuk e groposën të shkuarën sovjetike, ndryshe nga gjermanët e pasluftës që varrosën kufomën e nazizmit të tyre në vitet 1950. Kufoma e këtij përbindëshi, që shfarosi dhjetëramilionë njerëz nga shtetasit e vet dhe e hodhi vendin shtatëdhjetë vjet pas, u vendos në një cep: mendimi i tyre ishte që kjo kufomë do të kalbej vetë. Por doli se ajo as nuk kishte vdekur.

Pasi erdhi në pushtet, Putini filloi të ndryshojë. Dhe ata që fillimisht e mikpritën sundimin e tij, gradualisht filluan të kuptojnë se këto ndryshime nuk paralajmëronin asgjë të mirë për Rusinë. Kanali televiziv NTV u shkatërrua, kanale të tjera filluan të kalojnë në duart e shokëve nën armë të Putinit, pas të cilit, një censurë e rreptë hyri në fuqi; nga ajo pikë e më pas, Putini u bë i pakritikueshëm.

Mikhail Khodorkovsky, kreu i kompanisë më të pasur dhe të suksesshme të Rusisë, u arrestua dhe u burgos me dhjetë vjet burg. Kompania e tij Yukos u grabit nga miqtë e Putinit. Ky “operacion special” u konceptua për të frikësuar oligarkët e tjerë. Dhe kështu ndodhi: disa prej tyre ikën nga vendi, të tjerët iu betuan për besnikëri Putinit, disa madje u bënë edhe kuletat e tij personale.

Piramida e Pushtetit po vibronte dhe vibrimet ndaluan kohën. Si një ajsberg i stërmadh, vendi po lundronte nëpër të shkuarën – fillimisht në të shkuarën sovjetike, pastaj vetëm në të shkuarën e vet mesjetare.

Putini deklaroi se kolapsi i BRSS-së ishte katastrofa më e madhe e shekullit të njëzetë. Për të gjithë njerëzit me mendje të kthjellët sovjetikë, rënia e saj ishte një bekim; ishte e pamundur të gjeje një familje të vetme të paprekur nga rrota e kuqe e represionit stalinist. Miliona u shfarosën. Dhjetëramiliona u burgosën nga avujt e komunizmit – një objektiv i paarritshëm që kërkonte sakrifica morale dhe fizike nga shtetasit sovjetikë. Por Putini nuk ia doli të dalë nga oficeri i KGB-së që kishte brenda vetes, oficeri që kishte mësuar se BRSS-ja ishte shpresa më e madhe për progresin e njerëzimit dhe se perëndimi ishte një armik i aftë vetëm për korrupsion. Duke nisur makinerinë e tij të kohës drejt të shkuarës, ai sikur po kthehej te rinia e tij në kohën sovjetike, gjatë së cilës kishte qenë kaq rehat. Ai gradualisht detyroi të gjithë nënshtetasit tij të kthehen gjithashtu atje pas.

Perversiteti i Piramidës së Pushtetit qëndron në faktin se ai që ulet në majë transmeton gjendjen e tij psikomatike te e gjithë popullsia e vendit. Ideologjia e Putinizmit është shumë eklektike; në të, respekti për sovjetizmit gjendet krah më krahë me etikën feudale, Lenini ndan një krevat me Rusinë Cariste dhe kristianizmin ortodoks rus.

Filozofi i parapëlqyer i Putinit është Ivan Ilyin – një monarkist, nacionalist rus dhe anti-semit, një ideolog i lëvizjes së Bardhë, i cili u përzu nga Rusia Sovjetike nga Lenini më 1922 dhe përfundoi jetën në ekzil. Kur Hitleri erdhi në pushtet në Gjermani, Ilyin-i e uroi atë ngrohtësisht për “ndalimin e bolshetivizimit të Gjermanisë.”

“Unë kategorikisht refuzoj të vlerësoj ngjarjet e tre muajve të fundit në Gjermani nga këndvështrimi i çifutëve të Gjermanisë… hipnoza liberal-demokratike e mosrezistencës është hedhur tutje…” shkroi ai. Gjithsesi, kur Hitleri shpalli sllavët racë inferiore, Ilyin-i u ofendua dhe Gestapo shpejt e arrestoi atë për kritikat që kishte filluar të hidhte. Ai u shpëtua nga Sergei Rachmaninov dhe u arratis për në Zvicër.

Në artikujt e tij, Ilyin-i shpresonte që, pas rënies së bolshevizmit, Rusia të kishte führer-in e vet të madh, i cili mund të ngrinte vendin sërish në këmbë. Në të vërtetë, “Rusia që ringrihet në këmbë” është shprehja e parapëlqyer e Putinit dhe Putinistëve të tij. Ai dukshëm ka marrë ide nga Ilyin-i kur foli me përbuzje për Ukrainën si një shtet “i krijuar nga Lenini”. Në fakt një Ukrainë e pavarur nuk u krijua nga Lenini por nga Central Rada në janar 1918, menjëherë pas shpërndarjes së Asamblesë Themeluese nga Lenini. Shteti u ngrit për shkak të agresionit të Leninit dhe jo falë përpjekjeve të tij. Ilyin-i ishte i bindur se, pas bolshevikëve, autoritetet në Rusi do të “[bëheshin] antikombëtarë dhe antishtet, lajkatarë ndaj të huajve, të gatshëm për të shpërbërë vendin, [për t’u bërë] të paprincipë, që nuk mbronin vetëm interesin e kombit të madh rus dhe nuk do të ishin të tillë që nuk duhej të kishin asnjë respekt për rusët inferiorë [ukrainasit], të cilëve Lenini i dha shtetin, pastaj revolucioni nuk mbaroi, por hyri në fazën e vet të re të shkatërrimit nga dekadenca perëndimore.”

Mbështetësit e tij sot brohorasin shpesh duke thënë se “Rusia nën drejtimin e Putinit është ngritur në këmbë.” Dikush bëri humor: vendi me të vërtetë u ngrit në këmbë, por shpejt ra barkas: korrupsioni, autoritarizmi, arbitrariteti burokratik dhe varfëria. Ne tani mund të shtojmë edhe një tjetër këtu: luftën.

Shumë gjëra kanë ndodhur në 20 vitet e fundit. Presidenti i Federatës së Rusisë është bërë një maskë e pakuptueshme që rrezaton mizori, zemërim dhe pakënaqësi. Instrumenti i tij kryesor i komunikimit është bërë gënjeshtra, gënjeshtra e vogël dhe e madhe, sipërfaqësore naive apo shumë e strukturuar, gënjeshtrra që duket se i beson edhe vetë si dhe gënjeshtra që ai nuk i beson vetë. Rusët sakaq janë të mësuar me retorikën e mbushur me gënjeshtra të presidentit të tyre. Por, tani, ai ka mësuar edhe evropianët me këto gënjeshtra. Krerë të vendeve evropiane fluturojnë në Kremlin për të dëgjuar pjesën e tyre përkatëse të gënjeshtrave më fantastike (tani tërësisht paranojake), për të tundur kryet e tyre, për të thënë se “dialogu ishte konstruktiv” në konferencë për shtyp para se të fluturojnë tutje.

Angela Merkel pranoi se, në opinionin e saj, Putini jeton në botën e vet të fantazisë. Nëse është kështu, çfarë kuptimi ka të ndërveprosh seriozisht me një sundimtar të tillë? Ai nuk është shkrimtar apo artist; atij i duhet të jetojë në botën reale dhe të jetë i përgjegjshëm për çdo fjalë të vetme që thotë. Për gjashtëmbëdhjetë vjet, Merkel, e cila u rrit në Gjermaninë Lindore dhe që për rrjedhojë duhet ta kuptojë natyrën e vërtetë të Putinit, “ka krijuar dialog”. Rezultati i këtij dialogu: pushtimi i territoreve në Gjeorgji, aneksimi i Krimesë, kapja e DPR dhe LPR dhe tani, lufta tërësore në Ukrainë. Pas luftës me Gjeorgjinë dhe kapjes së territoreve të saj, “paqebërësi” Obama i ofroi Putinit… një reset në marrëdhëniet mes dy vendeve! Gjë që do të thotë, eja Vladimir, le t’i harrojmë të gjitha dhe të fillojmë nga e para. Rezultati i këtij reset-i ishte aneksimi i Krimesë dhe lufta në Ukrainën Lindore.

Përbindëshi i brendshëm i Putinit nuk u krijua vetëm nga Piramida e Pushtetit që kemi ne dhe nga elita e korruptuar ruse, të cilës, Putini, si cari dhe satrapër e tjerë, i hedh copa të mira dhjami nga korrupsioni i tavolinës së tij.

Ajo u kultivua gjithashtu me miratimin e politikanëve të papërgjegjshëm perëndimorë, biznesmenëve cinikë dhe gazetarëve të korruptuar e ekspertëve të shkencave politike të korruptuar.

“Një sundimtar i fortë dhe i qëndrueshëm!” kjo është çfarë i magjepsi ata. “Një car i ri Rus: ishte për ta, diçka si të thoje, vodka ruse apo kaviar: ishte diçka që të gjallëronte.

Gjatë kësaj periudhe kohe, unë u takova me shumë admirues të Putinit në Gjermani, nga shoferë taksie në biznesmenë dhe profesorë. Një pjesëmarrës i moshuar në revolucionin studentor të 1968, rrëfeu:

“Unë me të vërtetë e pëlqej Putinin!”

“Po pse tamam e pëlqen?”

“Ai është i fortë. Thotë të vërtetën. Dhe ai është kundër Amerikës. Jo si gjallesat që ne kemi këtu.”

“Dhe a nuk të shqetëson ty se, në Rusi, ka korrupsion të përbindshëm, praktikisht nuk ka zgjedhje dhe as gjykata të pavarura, opozita është shkatërruar, provincat janë varfëruar, Nemtsov-i u vra dhe televizioni është bërë propagandë?”

“Jo. Këto janë problemet tuaja të brendshme. Nëse rusët e pranojnë të gjithë këtë dhe nuk protestojnë, atëhere do të thotë se ata e pëlqejnë Putinin.”

Kjo ngjan logjikë e hekurt. Eksperienca e Gjermanisë në vitet 1930 duket se nuk i ka mësuar asgjë evropianëve të këtij lloji.

Por unë shpresoj që shumica e Evropianëve të mos jenë të tillë. Që ata ta dinë dallimin mes demokracisë dhe diktaturës – mes luftës dhe paqes. Në fjalimin e tij përplot me gënjeshtra, Putini e quajti sulmin në Ukrainë një “operacion ushtarak special” kundër “agresorit ukrainas”. Gjë që do të thotë: Rusia paqedashëse fillimisht aneksoi Krimenë nga “Junta Ukrainase”, pastaj nisi një luftë hibride në Ukrainën lindore dhe tani po sulmon të gjithë vendin. Pak a shumë njësoj si Stalini me Finlandën më 1939.

Për Putinin, jeta vetë ka qenë gjithmonë një operacion special. Që nga koha e KGB-së ai ka mësuar jo vetëm që të përbuzë njerëzit “normalë”, të cilët janë gjithmonë një gjë që mund të konsumohet për shtetin Sovjet Moloch, por ky është edhe parimi kryesor i Çekistëve: nuk duhet të ketë asnjë fjalë të vërtetë. Çdo gjë duhet të fshihet, të klasifikohet. Jeta persona,e të afërmit, veset – çdo gjë është fshehur, është ngatërruar me thashetheme dhe spekulime.

Tani, një gjë është bërë e qartë: me këtë luftë, Putini e ka shkelur vijën – ka shkelur vijën e kuqe. Maska është hequr, parzmorja e “autokratit të ndritur” është thyer. Tani, të gjithë perëndimorët që simpatizuan “carin e fortë rus” janë zgjuar dhe kanë kuptuar se një luftë e plotë është nisur në Evropën e shekullit të njëzet e një. Agresori është Rusia e Putinit. Ajo nuk do të sjellë asgjë veç vdekje dhe shkatërrim në Evropë. Kjo luftë është nisur nga një njeri i korruptuar nga pushteti absolut, i cili, në çmendurinë e tij, ka vendosur të rivizatojë hartën e botës sonë. Nëse dëgjon fjalimin e Putinit që shpall “operacion special,” vëren se Amerika dhe NATO përmenden më shpesh se sa Ukraina. Ne duhet ta konsiderojmë atë si “Ultimatumi” i Putinit ndaj NATO-s. Si i tillë, objektivi i tij nuk është Ukraina por është qytetërimi perëndimor, urrejtja që është ushqyer bashkë me qumështin e zi që ai ka pirë nga sisa e KGB-së.

Kush e ka fajin për këtë? Ne. Rusët. Dhe ne do të na duhet të jetojmë me këtë faj deri sa regjimi i Putinit të rrëzohet. Sepse me siguri që ai do të rrëzohet dhe sulmi ndaj Ukrainës së lirë është fillimi i fundit.

Putinizmi është i dënuar për shkak se është armik i lirisë dhe armik i demokracisë. Njerëzit më në fund e kanë kuptuar këtë sot. Ai sulmoi një vend të lirë dhe demokratik pikërisht për shkak se është i lirë dhe demokratik. Por ai është ai i dënuari për shkak se bota e lirisë dhe e demokracisë është shumë më e madhe se sa strofkulla e tij e errët dhe e zymtë. E dënuar për shkak se ajo që ai dëshiron është një Mesjetë e re, korrupsion, gënjeshtra, dhunim të të drejtave të njeriut. Për shkak se ai është e shkuara. Dhe ne duhet të bëjmë çdo gjë që kemi në dorë për ta bërë këtë përbindësh të rrijë atje, në të shkuarën, për të gjitha kohërat, bashkë me Piramidën e tij të Pushtetit.

*Vladimir Sorokin është shkrimtar bashkëkohor rus

Burimi/voxnews.al/