Xhabir Tabaku – N’Shkoder myslimane e te k’shtene kan me kene vllazen pernjimend.

0
7

Më bjen ndër mend si njitash, n’vogli kur shkoja me gjyshin në breg t’bunës me zanë peshk e mandej kadalë-kadalë merrnim rrugën për Shirokë. Gjyshi bante sikur shkonim për hatrin tim, por un e vëreja se ai ma shum shkonte me takue nji mikun e tij të vjetër, Tomen. Toma ishte plak, a ndoshta plak më dukej mua ngase isha fëmi. E kishte shtëpinë në mes të Shirokës, sa kalojshe nji klub n’qoshe të rrugës së vetme e merrshe rrugën përpjete për kah kampi i fmijëve, dikur vila Zogut. Gjyshi e gjuante penxheren e shtëpisë me guralec: -Erdha me vrep, ndihej zani i Tomës. Toma kishte za të pakët… përherë me nji xhakete bojkafe, dimën-vere, e n’krye nji kaskete doku. Gjyslykët me skelet të trashë, të zi, i jepnin pamje prej intelektuali. Fliste ngadalë e me buzen në gaz krejt kohës. E donte fort gjyshin, e vëreja se i ndrinin sytë kur takoheshin. Mos të ishte për gurabijat pesë lekëshe që më blinte, nuk do e kisha kujtue me kaq hollësi Tomen…
Mandej zbrisnim të tre drejt bregut të liqenit. Toma e gjyshi mblidhnin do gur petashuqa e mi jipnin mue me ba petulla n’uj. Kur ta çojsh në dhjetë petulla me i gurë, ke i gurabi tjeter më thonin.
Me binte krahu n’tokë tue dashte me mbërri dhjetën. Oh! Po për Zoten… thërriste Toma e qeshte me za. Fiks dhjetë. Qe artist, e ma zgjaste nji pesë lekësh tjetër për gurabinë e premtueme, ani se edhe ai edhe un e dinim se as gjasht petulla nuk kisha ba. Më bante përshtypje pse gjyshi e Toma përherë flisnin me za të ulët.
Isha kureshtar me i ndigju, por me petulla uji, e gurabija klubi me mbanin gjithmonë larg. Vetëm pak vite ma vonë, kur Toma pat vdek në spitalin senatorium nga tuberkulozi, e pata kuptue se Toma kishte qenë prift… E ndigjova gjyshin kur i tha nji burri thatuk që erdhi te ne me marr vesht si ishte puna. Nesër mbrama i tha gjyshi lehtë, dom Lorenci ka me çu meshë për Tomen diku në shtëpin e nji miku të tyre në Shkodër. Gjyshi me Tomen kishin pas jetue për vite me radhë në nji odë burgu dhe e kishin nda kafshatën e bukës me njëri-tjetrin. Me pat marrë edhe mua me vedi gjyshi kur shkoi te vorrimi i Tomës. Ata kishin vorret e tyre në mal, atje mbi liqen. Vorret e tyre më paten shti friken… ishin do qiparisa të naltë e kumritë zinin vend ndër ta… nuk kishte shum njerëz në varrimin e tij. Kah u kthyem në shtëpi, gjyshi heshti e un nuk bzana hiç. Ma mori mendja që po përcillte ndërmend të kaluemen me mikun e tij. Vetëm kur mbërritem në Tophane, mori frym thellë e tha duke me fërkue qafen e duke iu dridh gusha: E kam pasë si vlla! Lotët që i rrodhen për faqe nuk i fshiu fare. Vetëm rrudhi vetullat e shikimin diku larg.
Prej aty e deri te shtëpija, gjyshi nuk çeli gojë. Atbotë e mbrapa, kurr nuk më pat marrë ma për shetitje nga liqeni.
Kur shkoj në Shirokë, përherë më kujtohen ata dy burra të mirë… herë kthej kryet poshtë kah bregu i liqenit ku uleshin mbi gurë e përshpërisnin lehtë-lehtë e herë kthej kryet kah qiparisat mbi të cilat kukujnë pa pra kumritë.
Xhabir Tabaku.

Burimi/ Facebook /Pro Gegenishtes