Xhahid Bushati – MALLI, AH, KY MALLI IM PËR PETRITIN!..

0
24

-Me rastin e 1-vjetorit të ndarjes nga jeta të mikut
tim të shtrenjtë e të paharruar, poetit të talentuar Petrit Ruka (06.07.2021 – 06.07.2022)-
Kur u takova për herë të parë me Petrit Rukën, nga mënyra sesi fliste, si artikulonte fjalët dhe më recitonte ca vargje, (sa ajër, dritë e qiell kishin ato!), dlirësia e tij shpirtërore, humanizmi, e qeshura e pastër, sytë që i shndrisnin më sillnin në mendje poetët e famshëm rusë që i kisha për zemër. Ngaqë i kisha për zemër, edhe Petriti u bë pjesë e zemrës sime. I thashë se, që sot e tutje, unë do të thërras me emrin: Petja. Ai qeshi ëmbël. E qeshura e tij e bëri ditën time e ditët që do vinin më të bukura e më ëndërrimtare.
Si unë, si poeti Bedri Islami u munduam dhe i falëm dashurinë tonë shkodrane. Por unë isha gabuar se, në ditët që do vinin, Petja më fali aq dashuri sa mbeta borxh tek Ai. Borxh jam edhe sot… Udhëtuam si bashkëstudentë të një viti, hymë bashkë në auditore, bashkë në rrethin letrar të Institutit të Lartë Pedagogjik të Shkodrës, bashkë te Klubi i Rinisë “Heronjtë e Vigut”, më vonë… bashkë në vitin 1985 në specializim pasuniversitar, ai për dramaturgji filmike, unë për kritikë letrare; pastaj pas ca vitesh kur vija në Tiranë takoheshim dhe pinim kafe, pastaj për herë të fundit në Shkodër, në promovimin e librit të poetit të talentuar Bedri Islami. Fola unë, foli dhe Petja. E vëzhgoja me kujdes: nuk kishte ndryshuar. Drita e syve dhe e shpirtit, e qeshura e ëmbël, fjalët e zgjedhura poetike që i zgjidhte me aq finesë, siç dinte Petja, vetëm fitonin hapësirë dhe mua më mbulonin me dashuri malli. Në drekën e organizuar, karriget i kishim pranë e pranë. Filluam kujtimet, filluam të tregonim shumë ngjarje, histori dhe përmendje emra personazhesh. Petja, me një kujtesë fenomenale, falenderonte Shkodrën. Fjalët e tij mbartnin aromë dhe trëndafila Shkodre. Mes shumë virtyteve, Mirënjohja spikaste si rreze drite në ndërgjegjen e tij, në shpirtin e tij si biluri.
Petja ishte mik i çmuar në shtëpinë e Bedriut. Nana e tij, Drita përherë buzagaz e priste dhe e përcillte me dritë. Shpesh, me disa shokë vinin edhe në shtëpinë time. Unë kisha një kopsht me shumë pemë. Ata vinin, mes të tjerave, për të ngrënë kumbulla stamolle, që i pëlqenin veçanërisht. Ardhjen e stinës kur piqeshin këto kumbulla nuk e harronin dhe ma kujtonin herë pas here. Ata bisedonin me nanën time. Nana ime u kujtonte secilit nanën që kishin lënë në shtëpitë e tyre. Në bisedat e tyre të këndshme e plot të qeshura, shëtiste malli i nënës… Kur iknin, nana gjithnjë më thoshte: “Bir, nuk e di pse, por atë Petritin dhe Skënderin (Buçpapaj) i kam për zemër. Mos iu largo atyre, mbështetu tek ato! Janë të mirë, shumë të mirë!”
Amanetin e nanës sime e përmend edhe sot e kësaj dite, do ta përmend edhe në ditët që do vijnë, edhe në frymën time të fundit. Është i shenjtë ky amanet! E përmend dhe malli, dhe dhimbja, dhe loti janë të pranishëm tek unë. Malli për Petjan! Malli, ah, ky malli që nuk mund të shuhet!..

Shkodër, 06.07.2022 ( Xhahidi Bushati)

Burimi/Facebook