Xhahid Bushati – PËR SHKRIMTARIN SKËNDER DRINI…

0
207

-ESE-
-Në 6-vjetorin e ikjes nga jeta- (09.08.1935 – 16.12.2014)
1.
Ikja jote ishte e pazakontë, sepse i pazakontë ishe dhe ti!
Ishte një ikje që rruga të çon drejt zemrave, drejt shpirtit, drejt kujtimeve dhe drejt pikëllimeve. Siç thotë poeti i talentuar Agim Bajrami: “Seç ka një pikëllim shirash / kjo kohë malli midis nesh”.
Ike, si sot 6 vite më parë.
Miku im Skënder Drini, ikja jote: është kohë malli, kohë pikëllimi, kohë kujtese a moskohë ikjeje?.. Është kohë… Dhe ti bëre KOHË!
2.
Skënder Drini është një nga shkrimtarët e rrallë të letërsisë shqipe, mbase bën përjashtim, ku Periferia letrare nuk mbetet zëlarg, zëhumbur, por me shkëlqimin e vet e shtang dhe e “gjunjëzon” Metropolin. Mbase Metropoli ka kuptuar se në ndërtimin dhe formimin e këtij shkrimtari, Periferia letrare ka një qiell të përveçëm ëndrre dhe shprese të atillë sa që shpesh e hipnotizon, e turbullon dhe e lë pa fjalë Metropolin, që nganjëherë shet mend më shumë se sa duhet.
Për Skënder Drinin Periferia letrare ishte dashni, aq më shumë se kjo dashni e kishte emrin Shkodër. Në këtë qytet e ndërtoi jetën e vet, ashtu thjeshtë pa bujë, pa zë e pa ditirambe, por me ëndrra shkrimtari, me shpirt humanisti e me filozofi jete të një njeriu që deri në frymën e fundit mbeti fisnik. E për Shkodrën, Drini do të thonte: “Unë nuk jam shkodran, qytetin e dua shumë, është një qytet që të bën shkrimtar si me zor, për vetë faktin se është një qytet që historikisht është përballuar me kontradikta nga më të fuqishmet dhe është një qytet pa të cilën historia e Shqipërisë do të ishte tejet e cunguar.”
E në lavdinë e mermertë të fjalëve të shkrimtarit Drini shprehja: “… është një qytet që të bën shkrimtar si me zor…”, do të thotë se në çdo kapërcyell shekulli ky qytet ka mbledhur dhe ka ruajtur diturinë e urtësinë e etërve si gurë të çmuar. Bibliotekat më mirë se kushdo e rrëfejnë një gjë të tillë, edhe në heshtje, edhe në kohë tramundane, edhe në kohë pasigurie, edhe në kohë pa krye.
E në lavdinë e mermertë të fjalëve të shkrimtarit Drini shprehja: “… është një qytet që historikisht është përballuar me kontradikta nga më të fuqishmet dhe është një qytet pa të cilën historia e Shqipërisë do të ishte tejet e cunguar.”, do të thotë se mendimi filozofik i Drinit i kapërcen kohërat dhe udhëton me to. Gjithashtu mua më sjellë ndërmend urtësinë e një burri-bibliotekë siç ishte Ahmet Osja, njeriu që tokën e donte dhe e puthte si mëmën e vet, i cili thonte: “Ka qenë një kohë që i gjithë Ballkani vinte dhe merrte urti, dritë e dituri në Shkodër”.
Skënderi kishte pranuar Shkodrën të jetonte si qytet. E kishte zgjedhur. Siç duket, dhe kjo ishte e vërteta, ai kishte gjetur lirinë që ëndërronte, ndonëse nganjëherë ia prishnin kufijtë e saj. Dhe liria gjente reflektim në principet filozofike të shkrimtarit, në mënyrën e të jetuarit ku në shumë raste iu kthye në vuajtje. Liria jetonte e paprekshme në sentencën e tij, karakterin, soliditetin dhe qëndrueshmërinë e tij. Shpesh, kur ia cënonin lirinë, shikimi dhe heshtja ishin udhërrëfyes dhe përcillnin pushtet të madh tek dialoguesi, ku hera-herës rrinte kokëulur para tij. Skënderi e njihte pendimin e vërtetë. E donte edhe tek të tjerët, ndonëse patën edhe nga ata që nuk ia dhanë.
E donte këtë qytet me dimensionin e tij njerëzor, human e artistik. E donte edhe me heshtjen e tij. Kjo është arsyeja që Shkodra gjeti pasqyrim në romanet e publicistikën analitike politike dhe esetë letraro-filozofike.
3.
Shkrimtari Skënder Drini na la një opus letrar të çmueshëm ende të pastudiuar në dimensione, në shumë rrafshe, si: historike, erudicioni, kulturologjie, filozofike, estetike… etj., dhe në thellësitë e veprës së tij. Pra, shkrimtari Drini është një libër i hapur që pret të lexohet, të rikorrigjohet nga kritika letrare e para viteve ’90 por edhe pas saj (që vazhdon me heshtjen rituale e të zbehtë) dhe të studiohet më imtësisht e me kompetencë shkencore. Vonesat në evidentimin e vlerave të vërteta u japin jetë perandorive të injorancës dhe të errësirës.
Shkodër, 16.12.2020

Burimi/Facebook