Zef Zorba ( Në 100 vjetorin e lindjes)

0
225

Të shkruash për 100 vjetorin e lindjes së nji personazhi të rëndësishëm me gjurmë të pashlyera në historinë e nji qyteti dhe mà gjanë, don me thanë se edhe ti që shkruan, ke mbi vehte, vite dhe ngjarje të shënjuara, të lexuara dhe të jetuara, të treguara dhe të kërkuara.

Unë nuk e njoha herët Zef Zorbën si personalitet, por si njeri po, ai ishte dhëndër në rrugicen ku unë kalova fëmininë dhe, natyrisht, nji djalë i vogël 10 vjeçar, kur shikon tek kalon aty pranë shtëpisë së tij nji burrë të gjatë, të pashëm me portretin e tij prej nji zotnie ( nuk po përdorë termin xhentëlmen se asokohe nuk njihej ), tërhiqet fillimisht te pamja duke menduar për vehten e tij, a mund të bëhem edhe unë si ky, i gjatë , i drejtë me trup, me flokë të krehur bukur, jo, mustaqet e tij nuk më terhiqnin si fëmi, por gruaja e tij ishte edhe mà e bukur se ai, Terezinen e njihja, se e njihnin edhe prindërit e mi, me familjen e saj ishim dera-derës, te pusi i shtëpisë së të atit, – Kolë dhe Marije quheshin prindërit e saj – mbushnin ujë gadi e gjithë rrugica, ishte i pastër e i freskët, si uji i Kol Palit thonin njerzit, mandej, nji Natë të Vitit të Ri 1962, prindërit e mi dhe të gjithë vajzat e Kolës me dhëndurët e tij, patën kaluar nji mbrëmje festive dhe asokohe, ato festoheshin bukur, në njënen nga shtëpitë e dhëndurëve, me muzikë vallzimi, me lojna dëfryese dhe zbavitëse “ të rënda me dënime “.

Vitet kaluan, jeta po ecte, secili në rrugën e tij, u rrita, rrugët u ndanë dhe pas shumë vitësh, u ritakova përsëri me atë burrin e pashëm që e kisha takuar me raste te rrugica Hysej, portretin e të cilit e njihja, e mbaja mend edhe emnin, madje.

Në mesin e viteve të ’70-ta, shokët e rinj që zuna pas mbarimit të universitetit, kur bisedat silleshin në xhirot e famshme të Piacës, për njerëz dhe ngjarje, që ndoshta ishin edhe spontane, mjafton të shikoje nji njeri të famshëm në Piacë dhe biseda sillej rreth tij, aty mandej e “ ritakova “ edhe nji herë Zef Zorbën, por kësaj here, për mos ta humbur kurrë.
Zef dhe Gegë, quheshin shokët e mi, ato kishin punuar me Zorben në nji ndërmarrje të qytetit, te Tullat, në nji zyrë, ato teknikë e ai ekonomist, ato të rinj e ai disi në moshë, ato të etur për dije e ai i mbushur me to, ato përpiqeshin të mësonin gjuhë të huaja ai i kishte të tijat disa, ato hermetik për mos me fol ai hermetik në krijimet e tij letrare, pra, duket ishin shokë të ngushtë pavarësisht moshave. Këto më shtynë edhe mua drejt tij, më nxiten të shkoj te ai me mësu anglisht, atëbotë, mësohej tinzë, ose të vinte mësuesi në shtëpi ose shkoje tij te ai. Kjo ndodhi.
Ai jetonte në nji pallat , në katin e tretë në mos gaboj sot, dhe tavolinen e bukës, në kuzhinën me aneks, e kthente në tavolinë mësimdhënjeje. Nuk i kujtoj mirë orenditë, vendosjen e tyre, sa të bukura ishin, sepse nuk tërhiqesha nga ato, isha beqar, por mbaj mend se librat ishin ndoshta arredimi i shtëpisë së tij, fjalor, libra të vjetër me kopertina të dala boje disi, nga përdorimi i shpesht i tyre.
Bana disa seanca mësimi, pasdite, por shpejt u angazhova në detyra të rëndësishme shtetërore, çka nuk ma mundësonte të vazhdoja ma gjata. Vathë në vesh më ka mbetur shqiptimi i fjalës në anglisht “ beautiful “, mënyra si e shqiptonte ai dhe si donte ta mësonte edhe ty, kujdesej me e vendos theksin aty ku tingullin e bënte të bukur si vetë mbiemni në shqip.

U ndamë mandej, edhe gjatë, u ritakuam vetëm me letërsine e tij, jo mà fizikisht me te.

Erdhen vitet ’90-ta, Shqipëria u lirua nga mbyllja, filloj të ndryshoj, demokracia çliroj valvulat e sigurisë të “ hermeticitetit “, koha thirri në skenë intelektualët e tërhequr dhe Zorba shfaqej aty-këtu, e thirrnin në aktivitete kulturore me qellim, transmetimin e ideve demokratike dhe filozofike për ndërtimin e nji demokracie funksionale, largimin e frigës dhe ndertimin e raporteve sa mà të hapura në nji shoqëri me mendje të hapur.
Aty qyteti politik, aty rrethi kulturor e letrar, aty mjedisi qytetar e intelektual u kujtua se në mesin e tij jetonte dhe frymonte ende , por në moshë afër mbi të 70-tat, nji burrë që dikur kish qenë regjisor teatri, me vepra të vëna në skenë, autor tekste kangësh me frymëzim peisazhin dhe dashuninë për Shkodrën e, për këto, edhe i burgosur politik , aty për çudi mësuan se Zorba ishte autori i tekstit të kangës ndër ma të bukurat të krijimtarise së Prenk Jakovës, “ Synin si Qershija “, kënga këndohej, autori nuk përmendej, fjalët të mrekullonin, ambëlsia e tyre të grishte me dasht natyren dhe vashen, – cilen ?-, atë që peshë e ndezte djalin.
Ja teksti :
” Për Shkodrën plakë burojnë agime t’reja,
Me lule vila plot me drandofille;
Kullojnë si mjalta kang’t n’atë dritë e hije,
E n’ftyren tande, o vashë, lul’zon prandvera.
Synin si qershija, flakë e ndeze djalin,”.

Erdhi edhe letërsia e tij, me librin “ Buzë të ngrira në gaz “, me parathënjen e Ismail Kadaresë, nën kujdesin e vajzave të tij, Elena dhe Lali ( Luçija), vajzat që edukaten dhe mirësinë e tyre e trashëguan nga prindërit, vajzat, që megjithë kufizimet politike për shkak të prindërve, arriten të arsimohen dhe të edukohen si qytetare të dorës së parë.
Në parathanjen e tij, Kadare nënvizon se, “ Zef Zorba është një nga poetët më të shquar të letrave shqipe të gjysmës së dytë të shekullit të njëzetë “, e shton,….” ai zgjodhi rrugën e krijimit të poezisë që nuk do të shihte dritën e botimit “, atë që u quajt në gjuhën e përditëshme “ letërsi e sirtarëve “.
Zef Zorba, duke qenë nji intelektual i naltë, me dije dhe përvoja jetësore, e ndjente qysh kur nuk guxohej të flitej se liria nuk do të vononte shumë, ai nuk shprehej hapur, por në sirtar kish shkruar , qysh në vitin 1975, në nji vjersh të tij :
…….E perdja ra, pa përfunduar akti.

Duket nga ngjarjet ndërkombëtare, në fillim të viteve të ’70-ta, afrimi i marëdhënjeve amerikano-kineze, dobësimi i kampit në Europen Lindore, grupet “ armiqësore “ që quan krye në vendin tonë, etj., rrethana të dukshme apo “ hermetike “ ku ai depertone thellë në sajë të filozofisë së letërsisë që ai kish përkthyer nga klasikët italian, ndoshta edhe nga përvoja e tij dhe nuhatja e thellë filozofike dhe politike, nga ato, që jeta e shtërngojë ti provoje dhe ti durojë, sepse, te nji poezi shprehet :
Por jeta s’qenkish tjetër
veç një sistem i gjatë ekuacionesh
ku iksi, ypsiloni e zeta
kanë nga një vlerë, e vetëm një,
për njëra tjetrën
gozhduar.
Mos qesh !

Leximi i librit, me dedikimet e vajzave të tij, për mua ishte kënaqësi, jo vetëm që njoha anën tjetër të Zef Zorbës, poetin e letërsisë së sirtarit, por artin e tij të shprehjes që në letërsinë shqipe takohet rrallë, ai ishte nji tjetër poet, Kadare shprehet se, ai “ bëri eksperimente avanguardiste, aq pak të pranishme në poezinë shqipe “.
Vite mà vonë nga dalja e librit të parë të tij, befasia më doli përpara, njoha anën e paditur për Zorbën, njoha anën njerzore të nji ish të burgosuri politk, të nji djali 26 vjeçar në birucat e burgut në Pojan, letra e tij nga burgu, afishuar në Muzeumin e Dëshmisë dhe të Kujtesës , në Shkodër, të renqethë mishin, të drithëron.
I shkruan familjes në letër : ……” Paret ( 500 lekë ) e duhanin i mora, e ju lutem, kur të mundeni më dergoni prap, pse nji pjesë të pareve, i kam pague borxhe “.
Bepi.

E në fund të letrës, edhe dy shokë të tij kishin vënë shënimë për të afërmit e tyre, nji letër, tre falenderime.

Zef Zorba e deshti jetën si të gjithë vullnetmirët e kesëj bote, e deshti se e çmonte, e deshti se kishte kulturë, e deshti se deshte Terezinën, gruan e tij të vuajtjeve dhe të gëzimeve, gruan ku ai mbështetej, gruan që ai e adhuronte, gruan që i thurte poezi.

Në fund të librit, Zorba vikamë :

“ O jetë!
edhe në zgrip,
shtegëtarët e tu
gjithnjë të dashurojnë!

Zorba vdiq me 6 Janar 1993, ditën e Ujit të Bekuar se i bekuar ishte, edhe ditën kur të vdiste e kishte zgjedhur, duhej të ishte ditë e bekuar.
Si “ hermetik “ në poezi, ai kërkonte me ngut një shtëpi, jo materiale, por një shtëpi hyjnore, qiellore, shtëpinë që shoqëria ja kishte borxh.
Fundi i librit:
…………
Por ma ndërtoni sa më parë shtëpinë.
Kam ngut, kam ngut-kuptomëni-kam ngut!
Shkuan dëm e s’kthehen gjithë ato mote
me blozë e ndryshk, e pamundësi shpengimi.
Kurse tani- e dini?-më kanë ngelur
tepër pak orë. E kur i bëj të gjitha?
Ja, gjemb i mollës po bulon, kthjellimi
retë po i davaritë; çerdhe të reja
në fllad po koloviten, e fëmijve
vezullimet ua shoh ndër sy…
Nxitoni ma ndërtoni një shtëpi
pse nuk më pritet më….

Zef Zorba, prehet i qetë në varrezat katolike të R’rmajit në Shkodër.
Ai ka 100 vjetorin e lindjes sivjet, autoritet lokale dhe qendrore do të organizojne, besoj unë, së paku, nji Konferencë përkujtimore, mund ta lënë edhe në heshtje, mundet.
Por ai jeton qindvjeçarin e dytë dhe që sot asht nisë për ti përkitë pavdekësisë.
Shtëpinë ku e ka, thjesht, në Altarin e Poetëve të Kombit.

Fund shkrimit.
Shkodër me, 31 Mars 2020.

Burimi – Facebook – Leonard Qyteza