ZËRI I BUJAR QAMILIT NDERON KOMBIN

0
35

Gazeta Telegraf
Nga Ramazan Çeka
ZËRI I BUJAR QAMILIT NDERON KOMBIN
Këngëtari i madh Bujar Qamili vlerësohet me titullin e Lartë “Nderi i Kombit”.
K’ndo Bujar me t’bukrin za,
Se largohen ret’ nga qielli,
Thot bilbili nuk k’ndoj ma,
Ma kalon Bujar Qamili.
Këto vargje i shkëputa nga strofa e një kënge, tekstin e së cilës e kam shkruar disa vite më parë kushtuar këngëtarit të madh Bujar Qamili. Sa herë zë pendën me dorë dhe vendosi të shkruaj për të madhin e të mëdhenjëve, për zëëmblin, bilbilin e Shkodrës, këngëtarin Bujar Qamili, asnjëherë nuk ndjehem i plotësuar në atë çfarë dua të paraqes për lexuesit kur është publicistikë, por veçanërisht kur thur vargje kushtuar zërit të tij, këngës së tij, artit të tij. Për mua është një sfidë më vete duke ditur pritshmëritë e artëdashësve të tij, nivelin e këngëve që tashmë janë një album me vlerë, ku shpërthen aroma e këngës së bukur qytetare shkodrane. Janë të shumta shkrimet dhe tekstet e dedikuara këtij kollosi bashkëkohor me të cilin mburremi, krenohemi dhe vlerësohemi si qyteti i djepit të kulturës dhe sërish e ndjej se nuk është thënë sa duhet.
Të njëjtat gjëra po diskutonim me një grup miqsh të Bujarit edhe gjatë udhëtimit tonë nga Shkodra për në Tiranë, ku na dukej vetja si dasmorë të motivuar nga entuziazmi i kësaj dite të shënuar për Bujarin aq sa, pothuajse askujt nuk i ra në sy fakti, se gjatë gjithë rrugës na shoqëroi një mot me shi të dendur.
Me të mbërritur në Pallatin e Brigadave, ku Presidenti i Republikës z. Ilir Meta kishte përgaditur një pritje ekselente enkas për të, entuziazmi arriti kulmin, aq sa Ai të recitonte vargjet e një kënge kushtuar Bujarit. Në të vërtetë kjo është edhe një nga arsyet që më ka motivuar për të shkruar edhe për këtë rast, ndaj me plot të drejtë mund të them se me këtë vlerësim të akorduar nga z. Ilir Meta, Bujar Qamili ka prekur majat e sukseseve të tij.
Sot Bujar Qamili, bilbili i djepit të kulturës u vlerësua me titullin më të lartë “Nderi i Kombit” dhe vetë Presidenti i Republikës, gjatë një ceremonie madhështore të organizuar në Pallatin e Brigadave, u shpreh me fjalët: “Nuk besoj të ketë shqiptar në çdo trevë ku flitet dhe këndohet shqip, që të mos ketë dëgjuar dhe kënduar të paktën një këngë të artistit të madh dhe shumë të dashur, Bujar Qamili. Për mbi katër dekada në skenë, me zërin magjik dhe interpretimin e jashtëzakonshëm, ai është kthyer në simbolin e këngës popullore shkodrane dhe shqiptare, duke fituar zemrat dhe duartrokitjet e zjarrta të publikut, për t’u bërë me repertorin e tij të magjishëm, pjesë e gëzimeve në familjet dhe vatrat shqiptare. Në vlerësim të kontributit të vyer dhe të rëndësishëm, në ruajtjen, kultivimin dhe përhapjen e këngëve popullore, duke e shtuar dashurinë dhe krenarinë për vlerat e jashtëzakonshme kombëtare dhe kulturore, e çmova sot Bujar Qamilin me Dekoratën e lartë “Nderi i Kombit”.
“Nuk k’ndoj ma thotë bilbili,
Ma kalon Bujar Qamili.”
Dhe me të vërtetë do ta quajmë një vlerësim mëse të merituar, këtë nderim që i bëhet në emër të Kombit, pasi këngëtari i madh Bujar Qamili për një gjysëm shekulli ka dhënë një kontribut tepër të çmuar në ruajtjen dhe kultivimin e këngës popullore shqiptare e në veçanti asaj shkodrane. Ai është një ndër këngëtarët më të mëdhenj të shekullit, i cili me zërin e tij ka arritur të bëjë për vete Kombin Shqiptar. Falë dhuntisë, punës, pasionit dhe përkushtimit ndaj këngës ndër vite, ka akumuluar në karrieren e tij një mori vlerësimesh e çmimesh të fituara si interpretues i këngës popullore, duke e sjellë atë para publikut jo vetëm me një repertor shumë të pasur, por edhe me një performancë brilante.
Ai, në jetën e tij artistike e sociale është ndër të rrallët artistë që është vlerësuar si misionar i paqes për interpretimin dhe kultivimin e artit muzikor shqiptar, duke e bërë atë urë komunikimi jo vetëm në hapësirën shqipfolëse, por edhe me kombe e kultura të tjera.
Bujar Qamili është një këngëtar i freskët dhe tepër i dashur, i cili që në moshë të re i këndoi popullit të vet, i këndoi qytetit të tij, i këndoi dashurisë dhe rinisë. Ai, që fare i ri, që në debutimet e para, arriti të fitojë dashurinë dhe admirimin e publikut shkodran dhe mbarë artëdashësve shqiptarë. Me zërin e tij brilant arriti ta lartësojë këngën popullore, këtë trashëgimi të kulturës shqiptare, në skajet më të largëta në të pesë kontinentet e botës ku ka shqiptarë.
Bujar Qamili është fitues i shumë çmimeve dhe trofeve në konkurse e veprimtari kulturore e artistike. Ai është pëfaqësues i Shqipërisë në disa Festivale Ndërkombëtare dhe pjesëmarrës në shumë koncerte në Radio Televizionin Shqiptar. Bujar Qamili gjatë karrierës së tij artistike ka realizuar shtatë koncerte recitale në Tiranë e në Shkodër, ku sallat e mbushura plot kanë dhënë vlerësimin e tyre me ovacione e duartrokitje të pafund.
Ai ka organizuar disa koncerte bamirësie brenda dhe jashtë vendit për njerëzit në nevojë, aty ku arti shëron, lumturon dhe jep jetë, si në Shtëpinë e Fëmijës e në Shtëpinë e të Moshuarëve, për të ardhur tek disa koncerte madhështore gjatë periudhës së pandemisë në mes të qytetit, ku triumfoi me koncertin madhështor “Dhuratë për Shkodren”, një sfidë ndaj së keqes që kërcënonte njerëzimin, por edhe një zë shprese e optimizmi për ta mposhtur atë. Ai u ndoq nga qindra qytetarë të të gjitha moshave që e duartrokitnin nga dritaret e ballkonet e pallateve, që këndonin bashkë me të dhe që i tregonin atij se e donin dhe e vlerësonin pikërisht se ai, me këngët e tij, me këngët e qytetit të tyre, ua bënte më të lehtë situatën që ishte krijuar duke i motivuar që ta kalonin sa më lehtë.
Ky këngëtar i madh shquhet edhe për bashkëpunime e kontribut të lartë në evidentimin dhe inkurajimin e zërave të rinj, e talenteve që Shkodrës nuk i kanë munguar kurrë, duke bërë që kënga e bukur popullore të jetojë e të lulëzojë brez pas brezi.
Bujar Qamili është padyshim një gurrë e pashterrshme me fondin e tij të pasur muzikor edhe në lëmin etnokulturor. Ai është një thesar me vlera të vyera kombëtare, me të cilat shqiptarët ruajnë dhe trashëgojnë gjuhën, muzikën dhe dashurinë për Kombin.
Ndihem me shumë fat që në repertorin e tij spikasin një mori këngësh mjaft të vlerësuara të bashkëpunimit tonë, por mbi të gjitha për faktin se këngëtari Bujar Qamili është edhe miku im më i afërt.
Përtej karrierës artistike ai mbetet një qytetar model, njeri dinjitoz dhe artist mjaft i dashur, çka e dëshmoi edhe gjatë tryezës së shtruar me këtë rast në lokalin “Kaon” në Tiranë me pjesëmarrjen e familjes dhe miqve të tij të shumtë: Agron Çela, Edmond Ndou, Zija Vukaj, Engjell Ndocaj, Ben Tafili, Ramazan Çeka, Jetmir Barbullushi, Bardhyl Hysa, Gazmend Kraja, Mukades Çanga, Adnan Bala, Mateus Frroku, Shkëlqim Hajdari, Dritan Ylli, Gani Muçmeraj, Skender Kaziu, Jahir e Ilmije Hasani, Dule Malindi, Klinsman Llazani e shumë të tjerë dhe ku pjesëmarrja e Presidentit të Republikës z. Ilir Meta ishte qershia mbi tortë e gëzimit të Bujar Qamilit dhe ku me modestinë e tij brilante tregoi edhe njëherë se ai, këngëtari Bujar Qamili, “Mjeshtër i Madh” i Këngës dhe “Nderi i Kombit” për kontributin e pashoq, mbetet po i njëjti shkodran karizmatik, bujar dhe dashamirës ndaj kolegëve, miqve dhe artëdashësve të shumtë që vërshuan me telefonata dhe mesazhe për ta uruar në këtë ditë të shënuar.
Në emër të të gjithë artëdashësve shqiptarë, anë e mbanë botës, qytetarëve të Shkodrës dhe miqve tanë të përbashkët gjej rastin t’i uroj nga zemra e mbash me shëndet e me suksese të mëtejshme titullin e lartë “Nderi i Kombit”.
Shkurt 2022

Mund të jetë një imazh i 6 persona dhe njerëz në këmbë
Mund të jetë një imazh i 6 persona dhe njerëz në këmbë
Mund të jetë një imazh i 6 persona, njerëz në këmbë dhe ambiente të brendshme
Mund të jetë një imazh i 4 persona, njerëz në këmbë dhe kostum
Mund të jetë një imazh i 6 persona dhe njerëz në këmbë

Burimi/Facebook