ZIJA ÇELA MISIONAR

0
123

(Në 75-vjetorin e lindjes së shkrimtarit)
Luan RAMA
Është shenjë qytetërimi e dashamirësie, kur media krijon atmosferë në pragun e përvjetorit të një njeriu të Letrave dhe të Artit. Si një nderim të tillë për gjithë kolegët e mi i marr këto mesazhe pararëndëse për ditëlindjen e 25 marsit. Kam mirënjohje te thelle për autorin e esesë, Luan Ramen, ashtu dhe Mapon Letrare.
Ja, ndër të tjera, një pjesë nga shkrimi. (ZÇ)
Në letërsinë e çdo gjuhe ka shumë shkrimtarë. Nga shkrimtarët fare pak ia dalin të bëhen të mëdhenj. E prej të mëdhenjve vetëm disa syresh ia mbërrijnë të jenë misionarë. Jo se ata zgjedhin të bëhen të tillë, por roli që luajnë, pesha e veprës që krijojnë dhe rezonanca e saj, ndikimi dhe personaliteti krijues i tyre, trendi që përcaktojnë dhe misioni që përmbushin, i përveçojnë prej të tjerëve. Nga ky rend i hierarkisë së vlerave, por edhe i misionit që përmbushin, nuk bën përjashtim as letërsia shqipe.
Në kalamendjet e tejzgjatura nëpër qerthullin e pasigurisë e pothuaj edhe të mungesës së shpresës, ku u gjend letërsia e më shumë romani shqiptar i epokës së lirisë pas komunizmit, në krizë identiteti e në çoroditje vlerash, kompleksuar prej së shkuarës dhe pa guximin për të gjetur hullinë e vet në kohën e re, Zija Çela shfaqet si misionar e bëhet pararendës në realitetin e ri, pa mëdyshje, pa dilema, pa komplekse prej së shkuarës dhe i kthjellët për çfarë duhet të bëjë. Me dinjitetin e krijuesit, që autoritetin ia jep vepra, ai na provoi se letërsinë e madhe e bëjnë shkrimtarët misionarë, që nuk kushtëzohen prej sistemit apo regjimit politik gjatë të cilit e shkruajnë letërsinë e tyre, por vetëm prej regjimit të talentit dhe fuqisë së përjetimeve të një shpirti që e shndërron talentin në shërbëtor dhe po aq edhe në fuqi të krijimit.
Edhe pse shkruan në dy kohë, Zija Çela nuk ka dy krijimtari, nuk ka dy letërsi. Raporti i tij me krijimin është raporti i tij me jetën e shfaqen pazgjidhshmërisht bashkë, nëpër të njejtën udhë e nëpër të njejtën kurbë, me luhatje natyrisht, por gjithnjë e progresivisht në rritje.
Zija Çela nuk është nyja lidhëse e letërsisë shqipe në kapërcyell të dy shekujve, por palca e kontinuitetit dhe e kohezionit të saj në gjithanëshmërinë e vet. E nga kjo pikëpamje, pa asnjë mëdyshje, mund të them se Zija Çela është referenca me e spikatur e mbrojtësit të nderit të prozës shqipe të kohës së vet. Por ai bëhet edhe modeli me prirje e prurje pasuruese i saj, gjithnjë novator me sqimë, i matur, pa teprime, punëtor me dashuri të madhe për letërsinë e vendit të vet.
Përqasjet dhe analizat krahasuese janë një metodë e njohur dhe shumë e përhapur edhe në botën e studimeve të dukurive e fenomeneve letrare, përkatësisht edhe të individualiteteve të letërsisë, në gjuhësi, filologji e më gjerë edhe në fushat e tjera. Së këtejmi, edhe ndër ne, shumë studiues, shkrimtarë, kritikë, albanologë, botues, por edhe lexues të veprës së Zija Çelës, sa herë që ata janë shprehur për të, e kanë gjetur me vend, e natyrisht edhe me të drejtë, ta krahasojnë shkrimtarin tonë me të tjerë shkrimtarë të mëdhej të letërsisë botërore dhe veprën e tij me modele nga më të arrirat të asaj letërsie.
Në vlerësimin tim, vepra e Zija Çelës ka një univers dashurie që është vetëm e tija dhe që e merr jetën prej shpirtit të shkrimtarit, ndjeshmëria dhe brishtësia e të cilit e bëjnë atë dashuri sa tokësore, aq edhe hyjnore në të njejtën kohë. Ndaj unë do ta krahasoj Zija Çelën vetëm me Zija Çelën, dhe veprën e tij që është e gjitha një metaforë dashurie për njeriun, e shoh si një tempull të ndërtuar prej kultit të jetës.
Vepra e Zija Çelës është një metaforë ku bashkohen në një ai dhe ne, krijuesi dhe krijimi, koha dhe pakoha, konkretja dhe abstrakja, jeta dhe pertejjeta.
Por kjo metaforë kaq e bukur, ka ende kate të paplotësuar, megjithë rendjen e palodhur të shkrimtarit për të mbërritur në majë. Letërsia shqipe nuk e ka luksin ta quaj të kryer shërbimin e Zija Çelës ndaj saj, e mu për këtë arsye, ai është misionar i një pune që vazhdon.

Burimi/Facebook