Zija Cela – SOT 75

0
121

Plot 75. Qysh heret ne mengjes, ime shoqe me uroi ditelindjen. Sic ia kisha uruar une zonjes Aliqi dy dite ma pare, plot 75. Te dy bashke 150 vjet jete. Sa shume, o Zot, kur biri yne ka jetuar vetem 36.
Por, hajt, le ta bejme sot diten ndryshe! Ndryshe si? Ma te lehte, sidomos duke bere pak shaka me veten. Domethene, ne vend te asaj qershise se tortes, mund te perdor dy kokrra kripe.
Nese algoritmet jua nxjerrin ne shteg dhe ndaleni te ky status, pranoni dhe falenderimet tona ma te perzemerta, miq e lexues te dashtun.
SELFIE DIMRI
Një qyqe përshkoi për së gjati shtegun e parkut. Jo, ajo që pashë unë, kishte qenë hija e fluturimit të saj. Tashmë dielli ka anuar nga perëndimi. Qyqe, moj qyqe, a po migron hija ime ndokund?
Jam vetëm në shtegun e shkelur. Pa dashje, nga brenda më vjen një ngacmim. Kujtimi se e kam filluar jetën me katër këmbë. Me katër derisa jam ngritur. Kur kisha dy, për të tretën as që mendoja ndopak. Hop-hop, tash bëj çap me shkop.
Fryn. Gjithandej fryn, ka degë që thyhen me rënkim. Poshtë, pak para meje, një fije bari si gjuhë nepërke përqesh pleqërinë time.
O ti e shkuar që u bëre e ardhme, sa zgjate?
O ti e ardhme që bëhesh e shkuar, sa të ka mbetur?
Është kot të hysh në hesapet e Kohës. Tërë jetën e një njeriu ky mulli e bluan në fraksionin e sekondës. Është kot pra, kot!
Grahu këmbëve, zotni, hop-hop me shkop…
(Tirane, viti 2031)
TROKITJE
Isha njëzet vjeç dhe pyeta: “Kur do ta njoh?” Në njëzet e pesë thashë: “Kur ta kem njohur, do të jemi gjithmonë bashkë.”
U bëra tridhjetë dhe ne ishim bashkë. Në tridhjetë e pesë ishim përsëri bashkë.
Po mbushja dyzet, kur bëmë udhëtimin e madh. Nuk mbaj mend se ku vajtëm, por kthimi ishte njëlloj si prej botës së përtejme: njëri prej nesh u tjetërsua aq shumë, sa e humbi toruan edhe tjetri.
Në dyzet e pesë u ndamë.
Pesëdhjetë vjeç i trokita në derë. Doli dikush dhe më tha:
“Ajo po fle. Ke ndonjë porosi?”
“Jo”, thashë, “vetëm desha të dija nëse është mirë.”
“Ajo është mirë”, tha.
Ende s’jam pesëdhjetë e pesë që ta di nëse është zgjuar nga gjumi dhe vazhdon të jetë mirë. Ndoshta kur të bëhem gjashtëdhjetë, do të pyes veten: “A do ta shoh përsëri?” Nëse në gjashtëdhjetë e pesë nuk do të jetë ajo që do të trokasë tek unë, shtatëdhjetë e pese vjeç do të martohem me një tjetër.
Kam frikë të plakem, por sidomos kam frikë të vdes, pa pasur afër një dorë gruaje.
(Tirane, viti 1997)

Burimi/Facebook