Zot që ja arrita kësaj dite!

0
266

Bjen zilja e derës ( ishte rreth orës 3-4 pasdite), jo orar i zakonshëm për vizita atë ditë të bukur Korriku ndaj vrap lash rrobat që po palosja pasi i kisha hekurosur dhe nxitoj të hap derën. Isha në muajin e fundit të shtatëzanisë por këmbët i kisha të lehta dhe fiziku prej sportistje nuk më kishte lënë megjithëse kishin kaluar vite pa u marrë me sport! Hapa derën dhe përballë shoh komshijen me bigudinat në kokë të vendosura bukur që mes buzëqeshjes më thotë:

  • Të kërkon burri në telefon! – Dhe më udhëheq drejt koridorit të saj.
    Ajo ishte mësuese letërsie, një grua e bukur e shkurtër po me forma të rrombullakosura që kishte një ëmbëlsi natyrale kur fliste. Ishte e vetmja familje në pallatin tonë që kishte telefon shtëpie, dhe ato nuk përtonin kurrë të na e vinin në dispozicion kur qe nevoja! Celularët nuk i njihnim atëhere. Familja ime nuk merrte në telefon kurrë në atë orë se njerzit edhe pushonin, por pse po merr burri vallë në këtë orë që ai duhej të kthehej në shtëpi? E falenderoj Tashën dhe marr telefonin. Nga ana tjetër dëgjohet -” Ira nuk do vij dot në shtëpi për drekë, se më duhet të rri dëzhurnë në ndërmarrje deri nga ora 8 pm”!
  • Pse kështu papritur? Harrove që sot do shkojmë nga mami se ka ardhur kushuriri i saj për herë të parë nga USA dhe don të na takoj e njohi të gjithëve? – ja kthej unë.
  • Jo, nuk kam harruar, por këtu ka plasur rrëmuja dhe nuk e lëmë dot ndërmarrjen vetëm!
  • Rrëmuja? Çfarë rrëmuje? – pyes me ankth. Nja shtatë muaj më parë kishte pasur rrëmujëra në Gjermani. Ishte rrëzuar muri që ndante Berlin, e mes tij Gjermania ishte ndarë në dy kampe atë të Lindjes dhe të Perëndimit. Pas Gjermanisë rrëmujërat vazhduan me Bullgarinë e me Rumaninë, aty kishin vrarë Çaushenskët.. Pra kishte hyrë “rrëmuja” në Ballkan, por nuk e imagjinonim se do hynte te ne në Shqipërinë aq të mbyllur, megjithëse e mendonim prap nuk e përfytyronim dot!
    Zëri i tronditur i tim shoqi vazhdon- Nuk e di, por policia është rrugëve duke goditur me shkopa gome me sa mundet e po i merr njerzit mbarë! Kisha frikë mos ishe nisur rrugës e po të gjuajnë edhe ty me shkopinj se atyre nuk i shohin sytë! Mund të kujtojnë se ke fut ndonjë jastik në bark e po të vrasin, po shkon si mish për top!
    Dukej haptasi meraku i tij tek fliste pa marrë frymë. Ndërmarrja e tim shoqi ishte te Rruga e Kavajës jo larg Rrugës së Ambasadave dhe atij i kishin parë sytë skena që e kishin tronditur thellë! Asnjë nuk po e kuptonte s’e çfarë po ndodhte, por që më vonë u mor vesh ishin hapur dyert e Ambasadave për Shqiptarët. Ishte 2 Korriku 1990! Atë ditë për herë të parë mamaja me të motrat e vëllezërit e saj po takonin kushuririn e tyre që kishte ardhur me dy vajzat e tij të rritura nga Amerika ( ku bëmë foto me kamerat e tyre me ngjyra. E vetmja foto që kam bërë nga koha e shtatëzanisë dhe nuk e disponoj)! Në fakt, Shqipëria, qysh më 1989 kur ishte akoma nën udhëheqjen e Ramiz Alisë kishte filluar të zbuste luftën e klasave dhe të hiqte ligjin famëkeq të agjitacion-propagandës që mori sa e sa jetë njerzish më qafë për një fjalë goje. Pastaj, filloj të lejoj të vinin vizitor nga Amerika që nuk e kishin të mundur më parë të shkelnin kufirin tonë siç ishte edhe rasti I kushuririt të mamasë time që vinte për të parën herë në tokën ku kishte lerë i jati. Atëhere u lejua edhe Nënë Tereza e bashkë me të edhe murgeshat e saja. Hera parë të shihja fetarë qysh nga 1967 kur ishin mbyllur kishat e xhamiat.. Por këto ndryshime nuk mjaftonin, tullonat për ushqime dhe pasiguria e të nesërmes i kishte bërë njerzit të mos kishin më se çfarë të humbnin, e prej kohe kishin menduar arratinë. Ndaj, tani me lajmin e hapjes kishin vërshuar rrugëve në drejtim të Ambasadave e në ditët që vijuan njerzit vërshuan edhe nëpër porte e ku të gjenin..Sigurisht nuk mungonin agjentët Serb në rrugë e kudo të jepnin lajmin se ku e kur do nisej ndonjë avion për Beograd apo anije.. Trishtimi e pasiguria vinte duke u shtuar, por unë kisha hall tjetër. Unë mezi prisja të takoja për herë të parë fëmijën tim që megjithëse e kisha bërë Echon në maternitetin e Tiranës, doktori nuk ma tregoi në do lindja djalë apo vajzë? Mesa e mësova më vonë, ai e dinte që e kisha vajzë në bark, por nuk ma tha pasi shumë burra (ose çifte) e donin djalë fëmijën e parë. Biles kishte parë shumë raste kur burrat nuk u shkonin fare grave që lindnin vajza! — Jo, s’ka mundësi, i thashë doktorit! Dhe nuk e besova deri ditën që i takova në maternitet gratë që më ankoheshin nga burra të tillë, që nuk u kishin ardhur as për ti parë e as për t’i marrë meqë kishin bërë vajza!,
    Kjo nuk ishte problem për ne as nga ana e burrit e as nga ana e familjes time! Vajzat I donim njëlloj si djemtë!

Mbas dhjetë ditësh “rrëmujërash”, me 12 Korrik në mëngjes lindi vajza ime, 50 cm e gjatë me peshë 3.75 kg! Na u duk sikur lindja e saj na solli demokracinë, lirinë e fjalës, begatinë. Në fakt vitet e para ishin vitet më të zymta që kisha përjetuar në Tiranë gjatë jetës time 26 vjeçare, pasi dyqanet u boshatisën sikur t’u kishte rënë flama. Edhe miu bjen e thyen kokën nga boshllëku- thonin njerzit! Nuk gjenim as qumësht, as zarzavate, asgjë prej gjëje. Edhe kavanozat me konserva ishin mbaruar. Një perde pesimizmi kishte mbuluar hapësirën tonë, të paqartë se çfarë e si do bëhej! Meqë punoja si revizore e Albransportit kishim lidhje pune me përfaqësuesit e të gjithë linjave ajrore dhe mua dhe një kolegeje tjetër që kishim fëmijët disa mujshe përfaqësuesi i Malevit na solli nga një qese me qumësht pluhur pa ja kërkuar! Të gjithë e dinin gjëndjen tonë. Nuk ja harroj atë nder. Më vonë nevoja na bëri të krijonim lidhje me fshatin e t’i mernim furnizimet direkt atje. Njerzve u kishte ikur buzëqeshja, tanket kishin dalë rrugëve… por mes dhimbjesh po lindte edhe për vendin tim një epokë e re, por që ne e kishin shumë të vështirë ta përfytyronim! Më duket çudi se sa shpejt harrohet e keqja nga unë, se kam qejf të kujtoj vetëm të bukurat. Kunati im që ishte Kapiten vaporri kishte sjell një Vespa të përdorur (250 kubik) nga Italia dhe unë me të shkoja merrja furnizimet me qumësht e zarzavate në fshatrat diku afër Vorës dhe nga mbas mbaja të jatin e vajzës që shkrihej së qeshuri kur thërrisnin fëmijët me sa kshin në kokë -” Hej, shikoni, shikoni more, grua shofere”! Atëhere nuk kishte grua ti jepte makinës apo motorrit. Ai vet kishtë një motor Java të punës, unë i jepja vespës… Nuk e lashë të vuaj vajzën asnjë ditë, për vete harroja të haja, e jam dobësuar shumë ato kohë.. Mbaja një ditar për zhvillimet e vajzës, mbi peshën, gjatësinë, reagimet, kur pa borën për të parën herë, kur filloj të ecte, kur e çfarë foli për të parën herë.. (ditarin ma vodhën me shumë sende të tjera dhe e kam qarë me lot, por ndonëse detajet nuk i mbaj mend, kujtimet nuk m’i morën dot).. Eh, Vitet ikën..

Sot, ajo mbush plot 30 vjet! Një fjalë goje ta thuash, por sa mund, lot, vuajtje, sfida kalova deri më këtë ditë dhe sa shumë gëzime, arritje e buzëqeshje mora prej saj! Nuk duhen përmendur të parat, kur akoma gëzojmë shëndetin e bekimin e Zotit e të prindërve! Dhe kur fëmija të rritet me shëndet, dhe e formuar si njeri e pastaj edhe si akademike e profesionaliste i thua “hallall” të gjitha sakrificat, biles të duket sikur nuk ke bërë asgjë! Veçse sheh veten të rritur bashkë me fëmijën tënd që s’është më fëmijë dhe thua – Faleminderit o Zot që ja arrita kësaj dite!
Do doja të ishim bashkë e ta festonim këtë 30 vjetor sëbashku me Benën, por Covid19 na ka penguar ta realizojmë! Do ta kalojmë edhe këtë pengesë në rrugën tonë, siç kapërcyem shumë sfida të tjera. U trishtova kur pashë lotët e malli në sytë e tu sot, dhe mëndja më thoshte të tregoja diçka për të qeshur..dhe më vjen mirë që ja arrita të të bëj të qeshësh, e të qeshnim sëbashku. Të kam thënë që nuk dua kurrë të t’i shoh sytë me lot. Rëndësi ka të të kem shëndosh e mirë, të lumtur e të realizuar, o bija ime! Fat e mbarësi paç në jetën tënde! Mendimi pozitivë të udhëheqtë jetën tënde e të atyre që do mbash pranë dhe mos e lësho kurrë sensin e humorit, zemra e mamit! Të dua shumë, sa Qielli e sa Toka..(kështu thoshe kur ishe e vogël kur më pyesje sa xhan të kisha) e pastaj më pyesje për yjet se mesa duket e dije që do kapje qiejt me Satelitët që ndërton bashkë me ekipin tënd! Gëzuar ditëlindjen e shtrenjta ime! Dritë e paç jetën edhe për 100 e kusur vitet që do të vijnë!

Burimi/Facebook/Ira Kurti